PD e Lulzim Bashës dhe Rithemelimi i Sali Berishës do të përballen sërish këtë të martë në dyert e drejtësisë.
Gjykata e Apelit pritet të vendosë se kujt do t’i japë vulën dhe logon e partisë, gati 6 muaj pasi Gjykata e Lartë i kërkoi të vendosë përfundimisht për këtë çështje.
Beteja brenda forcës me të madhe opozitare për drejtimin e kësaj partie vazhdon prej me shume se dy vjetësh.
Gazetarja e ABC News, Erneta Shevroja, raporton se nuk pritet që palët të shtrojnë kërkesa shtesë dhe në këto kushte Apeli pritet të japë një vendim përfundimtar për “pronësinë” e logos dhe vulës së PD.
“Shqyrtimin e kësaj çështjeje do ta vendosin tre gjyqtarë. Nga ana e grupit të Bashës ka një përfaqësi të vogël. Ndërsa nga ana e grupit të Berishës ka një përfaqësi më të lartë. Do të jenë një grup i madh që pritet të ndjekin këtë proces. Dhe pritet të ndahet më në fund se ku do të shkojë vula e PD. Por nga ana e të dyja grupeve është vendosur të mos ketë parashtrim kërkesë shtesë dhe i gjithë shqyrtimi do t’i lihet gjyqtarëve, pra nuk do të ketë informacione shtesë. Pritet të jetë një seancë që do të zgjasë”, raportoi gazetarja.
Gjyqi ka nisur në orën 10:00. Sakaq, trupi gjykues përbëhet nga relatore Alma Ahmeti, ndërsa anëtarët janë Iliba Bezati dhe Elona Toro.