Prokurori i Shtetit, Jeton Koca, ka dhënë dorëheqje. Ky vendim i tij, është aprovuar me pesë vota pro gjatë mbledhjes së Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Zëvendëskryesuesi i KPK-së, Dardan Vuniqi shprehu mirënjohjen për kontributin e Kocës në sistemin prokurorial në vend.
“Puna e Prokurorit të Shtetit nuk është një vend pune e as privilegj me pagë të mirë, por është përgjegjësi dhe duhet përkushtim i madh për punë. Ne nuk mund të hyjmë në konkurrencë, të zgjedhemi dhe pastaj të japim dorëheqje. Për neve si Këshill ky duhet të jetë një këshillë që në të ardhmen të zgjedhim që e meritojnë dhe janë të denjë për të punuar si prokuror”, ka thënë Elza Bajrami – Kastrati, teksa ka kërkuar shtimin e ndonjë mase në rregulloren e Këshillit që të evitohen rastet e tilla.
Prokurori special, Milot Krasniqi tha se është për keqardhje largimi i një prokurori profesional nga sistemi i drejtësisë.
Koca bëhet e ditur se ka dhënë dorëheqje për arsye personale, teksa nuk ka pranuar që t’i bëjë ato publike. Ai ka dorëzuar dorëheqjen e tij më 13 shkurt.
Gjithashtu gjatë mbledhjes është aprovuar edhe dorëheqja e Elza Bajrami – Kastratit nga pozita e zëvendëskryeprokurores në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, pas emërimit të saj si anëtare e KPK-së, sipas dispozitave ligjore në fuqi./rtk


























