Trajneri italian Roberto Mancini ka përfunduar zyrtarisht detyrën e tij si trajner i Kombëtares së Arabisë Saudite, pas një marrëveshjeje të ndërsjellë për prishjen e kontratës.
Federata e Futbollit e Arabisë Saudite ka njoftuar të enjten se Mancini, i cili mori drejtimin e ekipit në gusht të vitit 2023, nuk do të vazhdojë më tej me skuadrën.
“Bordi i Drejtorëve i Federatës dhe trajneri i kombëtares, italiani Roberto Mancini, arritën një marrëveshje të përbashkët të enjten për të përfunduar marrëdhënien kontraktuale”, ka njoftuasr Federata saudite në rrjetin social X.
Gjatë mandatit të Mancini, Arabia Saudite arriti deri në fazën e 1/16-tave të Kupës së Azisë, ku u eliminua pas humbjes ndaj Koresë së Jugut në serinë e penalltive. Aktualisht, Kombëtarja saudite renditet e treta në Grupin C të kualifikimeve për Kupën e Botës, pesë pikë prapa liderit të grupit, Japonisë.
Në ndeshjet e fundit, Arabia Saudite humbi 2-0 ndaj Japonisë dhe barazoi pa gola ndaj Bahreinit, duke e bërë situatën në grup më sfiduese. Me vetëm pesë pikë të mbledhura pas katër ndeshjeve, sauditët kanë nevojë për një përmirësim të ndjeshëm në rezultatet e tyre për të siguruar një vend në Kupën e Botës./rtk