Forca e Sigurisë së Kosovës është pajisur me sistemin e fluturakeve pa pilot AeroVironment RQ-20 Puma, të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se ky prokurim është realizuar përmes programit shtet më shtet, të njohur si Foreign Military Sale (FMS), ndërsa pagesa për sistemin është bërë që në vitin 2021.
Ky hap shihet si pjesë e thellimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe ShBA-së në fushën e mbrojtjes, i cili sipas Ministrisë po kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin e ushtrisë së Kosovës dhe në realizimin e interesave të përbashkëta strategjike.


























