Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, njofton se pas një pune intensive hetimore dhe operative, ka arritur të identifikojë dhe arrestojë dy persona të dyshuar për përfshirje në disa vjedhje të rënda në zona të ndryshme të Kryeqytetit, transmeton KosovaPost.
Sipas policisë, “të dyshuarit A.D., 47 vjeç dhe H.M., 48 vjeç, janë arrestuar nën dyshimin e bazuar për kryerjen e 27 veprave penale “Vjedhje e rëndë”. Gjatë zhvillimit të hetimeve janë siguruar prova materiale që mbështesin dyshimin e bazuar për përfshirjen e tyre në këto raste”.
Po ashtu, janë realizuar kontrolle në vendbanimet e personave të dyshuar, “ku janë sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me veprat penale të dyshuara. Në kuadër të hetimit janë ndërmarrë edhe masa të tjera hetimore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, me qëllim të identifikimit dhe ndriçimit të plotë të rasteve”, vijon njoftimi i policisë.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.


























