Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se në një pompë derivatesh është raportuar një rast i dyshuar i përdorimit të kartëmonedhës së falsifikuar në vlerë prej 20 euro.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 06.02.2026 rreth orës 19:30, në fshatin Prelez i Jerlive, në Ferizaj. Njësitë policore kanë identifikuar tre persona të dyshuar: Sh. V. (27 vjeç), shtetas i Kosovës, si dhe dy shtetas palestinezë, N. Z. (30 vjeç) dhe M. O. (28 vjeç).
Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar kartëmonedhën e dyshuar të falsifikuar, një sasi të vogël substance të dyshuar narkotike, si dhe dy mulli.
Dy shtetasit e huaj janë ndaluar për 48 orë, ndërsa i dyshuari Sh. V. është liruar pas intervistimit.
Po ashtu, gjatë hetimeve është identifikuar banesa me qira e të dyshuarve në Ferizaj, ku janë gjetur dhe sekuestruar dokumente identifikimi të shteteve të ndryshme.
Policia ka bërë të ditur se i dyshuari M. O. rezulton të ketë qenë në kërkim me urdhërarrest ndërkombëtar, ndërsa ishte shoqëruar nga një e mitur kosovare, A. T. (17 vjeçe). Gjatë kontrollit në banesën e saj në Kaçanik janë gjetur dhe sekuestruar 39 kartëmonedha prej 50 dollarësh amerikanë, të dyshuara si të falsifikuara, një sasi e vogël narkotikësh dhe dokumente të huaja. Substanca narkotike dyshohet se i përkiste E. D. (19 vjeçe).
“Të gjitha veprimet janë kryer në koordinim me Njësitin e Hetimeve të Kufirit dhe Prokurorinë Themelore në Ferizaj. E mitura është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit, ndërsa ajo dhe E. D. janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë.


























