Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë njoftuar se në aksionin e sotëm në ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, është arrestuar Izedin Bytyqi.
Sipas njoftimit, në lidhje me rastin dyshohet edhe një person tjetër për vepra penale, i cili nuk është gjetur në vendbanimin e tij.
“I arrestuari me inicialet I.B. dyshohet se ka kryer veprat penale: ‘Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘Armëmbajtje pa leje’, kurse i dyshuari tjetër me inicialet N.F. dyshohet se ka kryer veprat: ‘Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’, ‘Shpëlarje e parave’ dhe ‘Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare’”, thuhet në njoftim, transmeton KosovaPost.
Tutje, bëhet e ditur se gjatë bastisjes janë sekuestruar një revole, dy karikatorë, shtatë fishekë, një kuti me 54 fishekë, 34 fletëdokumente të ndryshme, tre telefona, 17 USB, 3 llaptopë dhe katër shtëpiza kompjuteri, e edhe dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore.
“Gjithashtu është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa, me lokacione në Prishtinë dhe Fushë Kosovë. Me aktvendim të Prokurorit nga PSRK-ja, i dyshuari me inicialet I.B. është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për të identifikuar çdo person tjetër që mund të jetë i përfshirë në këtë aktivitet kriminal”.