Tri ditë pas futjes në listën e zezë amerikane, ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka njoftuar të mërkurën vonë, se ka vendosur të tërhiqet nga politika dhe jeta publike.
Në një reagim përmes Facebook-ut, Grubi, nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), në opozitë, bëri të ditur se për këtë vendim ka informuar edhe kryetarin e partisë së tij, Ali Ahmeti, “që nga dita e parë”.
“Unë, përpara Zotit, familjes dhe miqve jam i pastër si loti, por me synimin për të zbardhur të vërtetën, të cilën shumë prej jush e shoh që tashmë e dini, dhe për të mos qenë barrë politike, kam vendosur që të tërhiqem nga jeta publike dhe për këtë e kam njoftuar kryetarin Ahmeti qysh ditën e parë”, shkroi Grubi.
Ai theksoi, gjithashtu, se “sulmet e mëdha ndër vite, keqinterpretimet dhe goditjet e padrejta” e kanë shtyrë të marrë një vendim të këtillë.
“Ky është një vendim i vështirë, por i nevojshëm për të kursyer familjen dhe ruajtur integritetin tim personal dhe politik, si dhe për të mbështetur vazhdimësinë e punës dhe përkushtimit të liderit tonë, Ali Ahmeti”.
Postimi i tij i plotë:
Vendim personal në shërbim të së mirës së përbashkët
Të dashur qytetarë,
Gjithë veprimtarinë time publike jam angazhuar pa kompromis për barazinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, për një rajon në paqe dhe të pajtuar, për integrimin e plotë në NATO, për një partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Këto janë vlera që nuk janë vetëm udhërrëfyesi im, por edhe obligimi që i kam ndjerë gjithmonë ndaj vendit dhe kombit tim.
Arritjet tona, për të cilat jemi të gjithë dëshmitarë, nuk janë vetëm meritë e përkushtimit tim dhe shokëve, por edhe e mbështetjes së sinqertë dhe të vazhdueshme nga miqtë tanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.
Fakti që sot Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-së dhe ka nisur bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian është dëshmi e qartë e këtij bashkëpunimi dhe përkushtimi të përbashkët.
Por, çmimi i këtij angazhimi, një çmim që ka qenë gjithmonë në shërbim të vlerave dhe të drejtës, ka qenë i rëndë për mua dhe për familjen time.
Sulmet e mëdha ndër vite, keqinterpretimet dhe goditjet e padrejta, më kanë bërë të reflektoj për rolin tim në këtë moment të rëndësishëm për vendin dhe për të ardhmen e tij.
Edhepse vendimi thotë që ky nuk është për të dënuar, por për të nxitur përmirësim të sjelljes, unë, përpara Zotit, familjes dhe miqve jam i pastër si loti, por me synimin për të zbardhur të vërtetën, të cilën shumë prej jush e shoh që tashmë e dini, dhe për të mos qenë barrë politike, kam vendosur që të tërhiqem nga jeta publike dhe për këtë e kam njoftuar Kryetarin Ahmeti qysh ditën e parë.
Ky është një vendim i vështirë, por i nevojshëm për të kursyer familjen dhe ruajtur integritetin tim personal dhe politik, si dhe për të mbështetur vazhdimësinë e punës dhe përkushtimit të liderit tonë, Ali Ahmeti.
Besoni tek rruga e tij e drejtë, një rrugë që ka qenë dhe mbetet shpresa më e madhe për shqiptarët dhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Unë mbetem gjithmonë i përkushtuar ndaj këtyre vlerave dhe do të jem në krah të tyre, si qytetar dhe si mbështetës i së mirës së përbashkët.
Me respekt dhe mirënjohje nga thellësia e zemrës për mbështetjen tuaj në këto vite,
Artan Grubi