Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, akuzoi të premten Bashkimin Europian se po i ndan në mënyrë të pabarabartë vaksinat për Covid-19, transmeton Kosova Post.
Kurz aludoi se disa shtete po marrin më shumë doza sesa u takojnë, duke fajësuar bordin drejtues të ekspertëve në Komisionin Europian për veprime pas krahëve të vendeve anëtare.
Sebastian Kurz tha se i ashtuquajturi bord drejtues ka lidhur marrëveshje të tjera me kompanitë farmaceutike. Kontratat janë sekrete, as unë nuk i di, por ka të dhëna se është bërë pazar me vaksinat. Kancelari austriak tha se problemi i BE-së është që nuk po i shpërndan vaksinat në bazë të popullsisë.
Për këtë ai informoi edhe liderët e tjerë. Sebastian Kurz tha se shumë prej tyre nuk po u besonin syve dhe veshëve sepse është qartësisht në kundërshtim me qëllimin politik të BE-së, pra që çdo shtet anëtar të marrë sasi të barabartë për frymë të vaksinave.
Deri tani, nga rreth 450 milionë banorë që ka Bashkimi Europian, më pak se 10 për qind kanë marrë një dozë të vaksinës kundër Covid-19. Sipas kancelarit Kurz, Malta është një nga vendet anëtare që pritet të përfitojë trefishin e dozave anti-kovid krahasuar me vendin tjetër anëtar, Bullgarinë, ndërsa imunizimi i plotë për të tjerët pritet të zgjatë deri në vjeshtë.