Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës ka ndaluar importimin e 1,080 litrave vaj ulliri për sallatë pas parregullsive të konstatuara gjatë kontrollit kufitar, transmeton KosovaPost.
Sipas njoftimit, ndalimi u bë pas shqyrtimit të lëndës me nr. aplikacioni PIKF297960/2026, të datës 18 shkurt 2026, nga Inspektorati Fitosanitar Kufitar në pikën doganore në Vërmicë.
Gjatë kontrollit fizik është vërejtur se produkti nuk kishte deklaracion të rregullt dhe ishte transportuar në kushte jo të përshtatshme higjienike, së bashku me mallra jo ushqimore, si detergjentë, duke rritur rrezikun e kontaminimit.
Autoritetet kanë theksuar se një produkt i tillë konsiderohet i pasigurt për konsum dhe nuk lejohet të importohet në territorin e Kosovës, në përputhje me legjislacionin për sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Institucionet përgjegjëse kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë monitorimin e zinxhirit ushqimor për të garantuar sigurinë e produkteve në treg.


























