Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), bazuar në raportet zyrtare të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe të Komisionit Evropian, të datës 09.02.2026, njofton se në një fermë familjare në rajonin Maramureș, në Republikën e Rumanisë, është konfirmuar prania e sëmundjes së tërbimit (rabies) te kafshët shtëpiake.
Si masë parandaluese, AUV ndalon menjëherë importin e kafshëve të gjalla, përfshirë gjedhët, delet, dhitë dhe derrat, si dhe produkteve të tyre, që vijnë nga zona e infektuar në Rumani.
“Në përputhje me Ligjin për Veterinarinë, AUV ka marrë vendim për ndalimin e importit të kafshëve të gjalla, përfshirë gjedhët, delet, dhitë dhe derrat, si dhe produkteve të tyre, me origjinë nga zona e infektuar në shtetin e Rumanisë. Kjo masë hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në njoftim.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thekson se do të vazhdojë monitorimin e situatës dhe informimin e rregullt të publikut dhe operatorëve ekonomikë për çdo zhvillim të ri.
“AUV mbetet e përkushtuar për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje dhe mbrojtjes së shëndetit publik dhe atij veterinar”, thuhet tutje në njoftim.


























