Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka reaguar ndaj bombardimit të spitalit al-Ahli në Gaza, duke shprehur shqetësim për pasojat shkatërruese të sulmit, por pa e dënuar drejtpërdrejt Izraelin.
Në një postim në platformën X (ish-Twitter), Baerbock theksoi: “Terrori i egër i Hamasit duhet të luftohet. Por e drejta ndërkombëtare humanitare vlen dhe përfshin detyrimin e posaçëm për të mbrojtur zonat civile. Si mund të evakuohet një spital për më pak se 20 minuta?”
Ministrja gjermane theksoi më tej nevojën për ndërprerjen e luftimeve. “Nevojitet një armëpushim i fortë në Gaza. Pengjet duhet të lirohen dhe ndihma humanitare duhet të lejohet të hyjë. Përndryshe, do të ketë vetëm më shumë vuajtje, urrejtje dhe zhvendosje,” shtoi ajo.
Komentet e Baerbock vijnë në një moment të tensionuar diplomatik, teksa rritet presioni ndërkombëtar për ndërhyrje humanitare në Gaza dhe për respektimin e së drejtës ndërkombëtare.