Bala: Dhuna është shumë më e pranishme krahasuar me numrin e raportimeve

Fushata e njohur si “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, fillon sot dhe përfundon më 10 dhjetor.

Në programin e mëngjesit në RTK, Nazlie Bala, këshilltare në Ministrinë e Drejtësisë, ka thënë se gjithçka është e veçantë në lidhje me këto ditë, por një e veçantë që do të ketë këtë radhë është vetë prezenca e njërës nga viktimat, e cila jeton dhe vepron në Angli.

“Ajo është Vilma Duli, e cila iu është bashkuar kësaj fushate të 16 ditëve të aktivizimit”, ka theksuar Bala.

Vilma Duli është një viktimë e dhunës, e cila ka ardhur për të dëshmuar historinë e saj gjatë kësaj fushate 16-ditore.

“Vilma Duli vjen për të dëshmuar historinë e saj dhe për të përçuar mesazhin se dhuna është e papranueshme dhe duhet të ndëshkohet. Ajo ka pësuar dhunë nga ish-bashkëshorti i saj, dhe dhuna që ajo ka përjetuar është e ndryshme, por akoma më e rëndë ka qenë që ish-bashkëshorti i ka hedhur acid në fytyrë. Fatmirësisht, ajo është në mesin tonë dhe Vilma është një ligjëruese e jashtëzakonshme në lidhje me dhunën me bazë gjinore”, ka deklaruar Bala.

Sipas saj, dhuna është më e pranishme sesa që raportohet, dhe statistikat e konfirmojnë këtë.

“Dhuna është shumë më e pranishme krahasuar me numrin e raportimeve, dhe kjo vërtetohet nga statistikat. Ka shkaktarë të ndryshëm, por dhuna është shumë më e përhapur. Andaj, slogani i vitit të kaluar nuk ka qenë i rastësishëm; ne vazhdojmë të punojmë me këtë slogan sot dhe çdo ditë tjetër, përmes institucioneve, shoqërisë civile, aktiviteteve, emancipimit, ndërgjegjësimit, aspektit artistik dhe mediatik. Duhet të flasim dhe duhet ta parandalojmë dhunën”, ka theksuar Bala.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 1999, caktoi 25 nëntorin si Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe ftoi qeveritë, organizatat ndërkombëtare dhe OJQ-të të organizojnë aktivitete për ndërgjegjësimin e publikut rreth këtij problemi.

 

 

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika