Këshilltarja e ministrit në detyrë të Drejtësisë, Blerim Sallahu, Nazlie Balaj, ka reaguar pas publikimit të një lajmi nga portali Paparaci, i cili pretendon përfshirjen e familjarëve të saj në një rast vjedhjeje.
Në reagimin e saj, Balaj i ka hedhur poshtë kategorikisht këto pretendime, duke sqaruar se nuk ka asnjë vëlla apo familjar me emrin Avdush Bala dhe se nuk ka asnjë lidhje apo njohje me personin e përmendur në artikull.
Ajo ka theksuar se bëhet fjalë për një ndërlidhje të pavërtetë dhe të fabrikuar, të cilën e cilëson si të papranueshme dhe të motivuar politikisht. Sipas saj, ky publikim ka për qëllim dëmtimin e imazhit të saj personal dhe publik, veçanërisht në një periudhë të ndjeshme politike.
Balaj vlerëson se publikimi i lajmeve të tilla përbën shkelje serioze të etikës profesionale dhe keqpërdorim të lirisë së informimit.
Ajo ka kërkuar që portali Paparaci ta largojë menjëherë lajmin, të publikojë një përgënjeshtrim dhe një kërkimfalje, duke paralajmëruar se, nëse kjo nuk ndodh, do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për mbrojtjen e dinjitetit dhe integritetit të saj.


























