Barcelona ka siguruar fitoren e dytë radhazi në La Liga, duke triumfuar me rezultat minimal 1-0 ndaj Deportivo Alaves, një fitore që e afron më pranë kreut të tabelës.
Skuadra e Hansi Flick ka kërkuar një tjetër fillim të vrullshëm, pas fitores spektakolare 7-1 ndaj Valencia javën e kaluar. Vetëm minuta e katërt dhe Lamine Yamal ka depërtuar mes pesë mbrojtësve, duke asistuar për Raphinha, por braziliani ka goditur jashtë. Loja është ndërprerë pak më vonë pas një përplasje mes Tomas Conechny dhe Gavi, e cila i ka detyruar të dy lojtarët të largoheshin nga fusha, me futbollistin e Alaves të transportuar me barrelë.
Pas rifillimit të lojës, Alaves ka kontrolluar më shumë topin, por shpesh është kapur në kurthin e pozicionit jashtë loje nga mbrojtja vendase. Katalanasit nuk kanë krijuar raste serioze deri në minutën e tridhjetë, kur Robert Lewandowski ka humbur një mundësi të mirë. Pak para fundit të pjesës së parë, Pedri ka pasur rastin e parë në kuadrat, por tentativa e tij është ndalur nga portieri Jesus Owono.
Edhe në pjesën e dytë, Barcelona e ka mbajtur dominimin, por Lewandowski ka vazhduar të jetë i pasaktë para portës. Në minutën e gjashtëdhjetë, Lamine Yamal ka provuar me një goditje, por Owono e ka devijuar topin. Nga goditja e këndit që ka pasuar, Barça më në fund e ka gjetur rrugën e golit. Pedri e ka mbajtur të gjallë aksionin me një krosim diagonal drejt Yamal, i cili ka harkuar sërish në zonë, ku Lewandowski ka goditur topin për ta kaluar Barcelonën në epërsi.
Alaves nuk ka arritur të reagojë, duke mos regjistruar asnjë goditje në pjesën e dytë, ndërsa Ferran Torres dhe Fermín Lopez kanë pasur mundësi ta thellonin epërsinë e katalanasve.
Me këtë fitore, Barcelona e ngushton diferencën me kryesuesit e Real Madrid në vetëm katër pikë. Ndërkohë, për Alavesin kjo ishte humbja e parë jashtë fushe nën drejtimin e trajnerit Eduardo Coudet, duke mbetur dy pikë larg zonës së mbijetesës./rtk