Barcelona synon të përforcojë repartin ofensiv në afatin kalimtar veror për sezonin e ardhshëm, pasi sulmuesi polak Robert Lewandowski pritet të largohet nga klubi.
Sipas raportimit të Mundo Deportivo, gjigantët katalanas kanë ndarë një buxhet maksimal prej 100 milionë eurosh për transferimin e një sulmuesi të ri gjatë verës dhe nuk planifikojnë ta tejkalojnë këtë shumë.
Objektivi kryesor i klubit është sulmuesi argjentinas JuliAn Alvarez, i cili aktualisht luan për Atletico Madrid. Futbollisti 25-vjeçar së fundmi ka deklaruar se nuk është i sigurt nëse do të vazhdojë të qëndrojë në Wanda Metropolitano përtej kësaj vere, gjë që ka rritur optimizmin e drejtuesve të Barcelonës për një transferim të mundshëm.
Në kampin katalanas, Alvarez shihet si pasardhësi ideal i Lewandowskit, kontrata e të cilit pritet të përfundojë këtë verë.
Megjithatë, Barcelona dëshiron të veprojë me kujdes në këtë operacion. Klubi shpreson fillimisht të arrijë rregullin 1:1 të Fair Play Financiar (FFP) përpara se të përshpejtojë përpjekjet për të siguruar shërbimet e një lojtari të nivelit të lartë si Álvarez.
Ndërkohë, fituesi i Kupës së Botës 2022 me Argjentinën, i cili ka kontratë me Atleticon deri në vitin 2030, duhet të shtyjë vetë për një largim nga klubi madrilen nëse dëshiron të transferohet te Barcelona.
Sulmuesi argjentinas së fundmi ishte protagonist edhe në Ligën e Kampionëve, ku realizoi një dopietë në fitoren e Atletico Madrid ndaj Tottenham Hotspur në ndeshjen e parë të raundit të 16-tave.



























