Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë periudhës janar-nëntor 2024, ka realizuar gjithsej 80 ekstradime, ku 30 persona janë ekstraduar nga Kosova në shtete të tjera, ndwrsa 50 persona janë arrestuar në shtete të huaja dhe janë ekstraduar në Kosovë, transmeton KosovaPost.
“Policia e Kosovës, të gjitha strukturat e saj, gjatë këtij viti kanë vazhduar aktivitetet në realizimin e detyrave që dalin nga Plani Zhvillimor Strategjik 2021-2025 dhe kryerjen e detyrave rutinë-ditore në fushën e sigurisë”, thuhet në njoftim.
Edhe Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (DBNP–ILECU), gjatë periudhës janar-nëntor 2024, ka realizuar aktivitetet në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar.
Shkëmbimi i informacionit ndërkombëtar:
• Përmes kanaleve zyrtare të komunikimit, DBNP ka shkëmbyer gjithsej 18,528 informata me shtete të ndryshme të botës.
Ekstradimet ndërkombëtare:
• Janë realizuar gjithsej 80 ekstradime, 30 persona janë ekstraduar nga Kosova në vende të tjera përmes bashkëpunimit me INTERPOL-in dhe EUROPOL-in dhe 50 persona janë arrestuar në shtete të huaja dhe ekstraduar në Kosovë.
Pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare në kuadër të EMPACT-it:
• Policia e Kosovës ka marrë pjesë aktive në tri aktivitete të EMPACT-it (Ditët e Veprimit të Përbashkët – JAD), të mbështetura nga EUROPOL-i. Fokusi i këtyre operacioneve ka qenë Kontrabanda e armëve, Trafikimit me njerëz dhe Kontrabanda me emigrantë.
“Zyrtarë policorë nga DBNP-ja, do të vazhdojnë bashkëpunimin me organizata policore ndërkombëtare dhe me policitë e shteteve mike në realizimin e objektivave në fushën e sigurisë globale, luftimin e krimeve ndërkombëtare dhe ndjekjen e vënien para drejtësisë të personave të kërkuar me urdhër-arreste ndërkombëtare”, theksohet në njoftimin e Policisë së Kosovës.