Ushtruesi i detyrës, së ministrit në detyrë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi ka pritur në takim përfaqësuesit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe për Bujqësi (FAO), Ekrem Yazici dhe Daniela Mangione, nga Zyra Rajonale në Budapest.
Bëhet e ditur se gjatë këtij takimi, nikoqiri e mysafirët kanë diskutuar mbi forcimin dhe vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet FAO-s dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe mbi planet konkrete për bashkëpunim e deritashëm për sektorin e pylltarisë.
“FAO ka qenë dhe vazhdon të jetë një partner i rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural. Ne jemi të përkushtuar që ky bashkëpunim të forcohet dhe të thellohet më tej, me fokus të drejtpërdrejtë në përkrahjen ofrimit të shërbimeve të sakta dhe bashkëkohore në sektorin e pylltarisë, e po ashtu në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm bujqësor e rural”, ka thënë ministri në detyrë, Demelezi, ka bërë të ditur ministria.
Një ditë më parë përmes një ceremonie është përmbyllur programi pesëvjeçar “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve”, program ky i Bashkimit Evropian dhe Ambasadës së Suedisë, implementuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe për Bujqësi, për ruajtjen e pylltarisë në Kosovë.


























