Bashkimi Evropian duket kërkon eksplorimin e marrëdhënieve me drejtuesit e rinj të Sirisë, e për këtë arsye, siç pohoi shefja e re e politikës së jashtme të bllokut, Kaja Kallas.
I dërguari i Bashkimit Evropian niset drejt Damaskut për bisedime me njerëzit që kanë marrë frerët e vendit pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Asadit, duke i dhënë fund 5 dekadash sundimi të familjes së tij.
Lëvizja e Brukselit vjen pas njoftimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë kontaktuar autoritetet e reja në Damask, të udhëhequra nga grupi rebel, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), të cilin SHBA-ja e ka në listën e saj të organizatave terroriste.
“Diplomati ynë kryesor për Sirinë do të shkojë sot në Damask. Do t’i vendosim kontaktet atje. Nuk mund të lejojmë që të krijohet vakum”, tha Kaja Kallas. Vendet e BE-së — si vende të tjera në Perëndim — janë treguar të kujdesshëm në deklaratat ndaj udhëheqjes së re në Damask, duke pasur parasysh që HTS-ja kishte rrënjë në Al-Kaeda dhe është e listuar si një grup terrorist nga një numër qeverish.
BE-ja ndërpreu lidhjet me regjimin e Asadit në Damask gjatë luftës civile të vendit, megjithatë ka vazhduar të dërgojë ndihma humanitare për të ndihmuar popullatat lokale. Ministrat e Jashtme e BE-së do diskutojnë ndërkohë në Bruksel se si të angazhohen me udhëheqjen e re të Sirisë dhe në çfarë niveli duhet të jetë ky angazhim.
Edhe pse disa vende anëtare të bllokut po insistojnë për rritjen e raporteve me Sirinë pas rrëzimit të Asadit, të tjerë janë skeptikë e thonë se nuk mjaftojnë fjalët, por duhet të shohin edhe veprime konkrete nga lidershipi i ri sirian, të cilat të shkojnë në drejtimin e duhur.