Qindra protestues të udhëhequr nga studentët e universitetit mbajtën të enjten një tubim të zhurmshëm jashtë selisë së televizionit shtetëror të Serbisë, pavarësisht se presidenti i vendit u zotua të përmbushë të gjitha kërkesat e tyre, pasi ai u përball me një nga kërcënimet më sfiduese ndaj sundimit të tij populist.
Demonstrata është pjesë e protestave më të gjera që shpërthyen pas rënies së një mburoje betoni në Novi Sad muajin e kaluar, duke vrarë 15 vetë, raporton AP, transmeton Klankosova.tv.
Duke u fryrë bilbilave, bërtitur dhe duke u tallur me zë të lartë, protestuesit thanë se janë të zemëruar që televizioni shtetëror RTS po përcjell akuzat e presidentit Alleksandar Vuçiq se studentët janë paguar nga Perëndimi dhe gjetkë për të mbajtur protesta për të rrëzuar qeverinë e tij.
Protestuesit sollën thasë që dyshohet se mbanin tufa parash përpara RTS-së në qendër të Beogradit. Televizioni është akuzuar për përhapjen e narrativës nacionaliste pro-qeveritare prej vitesh.
Mësimet në më shumë se 40 fakultete universitare në të gjithë Serbinë janë pezulluar prej ditësh.
Shumë në Serbi fajësojnë për kolapsin vdekjeprurës korrupsionin e shfrenuar në vend që çoi në punimet e dobëta të rinovimit në ndërtesën e stacionit të trenit në Novi Sad – pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë me kompanitë shtetërore kineze të përfshira në një sërë projektesh infrastrukturore në vendin ballkanik.
Rënia e mburojës është kthyer në një pikë nxitëse për pakënaqësi më të gjerë me sundimin autokratik në rritje të presidentit, duke reflektuar kërkesat publike për ndryshime demokratike. Pothuajse çdo ditë janë mbajtur protesta që nga 1 nëntori në Novi Sad, Beograd dhe qytete të tjera, të cilat nganjëherë shndërroheshin në të dhunshme.
Vuçiqi njoftoi në një konferencë shtypi të mërkurën në mbrëmje se dokumentacioni në lidhje me rinovimin e ndërtesës së hekurudhës në Novi Sad do të bëhet publik, siç kanë kërkuar studentët.
Prokurorët kanë nisur hetimet dhe kanë ndaluar 13 persona. Por një ministër i qeverisë është liruar, duke nxitur spekulime të gjera mbi hetimin pasi populistët në pushtet kontrollojnë gjithashtu policinë dhe gjyqësorin.
Ndërsa Vuçiqi foli të mërkurën, qindra studentë gjithashtu u binin bilbilave dhe borive jashtë ndërtesës së presidencës, gjë që mund të dëgjohej në transmetimin e drejtpërdrejtë të fjalimit.
Studentët të enjten thanë se duan të arrestohen edhe banditët që sulmuan protestuesit paqësorë.
“Erdhëm për t’i kthyer paratë”, i tha një prej studentëve turmës ndërsa ata lanë në mënyrë simbolike thasë të improvizuar me para jashtë ndërtesës së televizionit. “Mund t’ia dorëzoni ato (çantat) presidentit dhe t’i thoni atij se ne duam një falje publike”.