Besimtarët mysliman nisin agjërimin e Ramazanit

Sot ka filluar muaji i shenjtë i Ramazanit, ku besimtarët myslimanë për 30 ditë do të agjërojnë dhe do përmbushin një nga pesë obligimet shtyllë të fesë islame.

Besimtarët mysliman sot kanë nisur agjërimin e muajit të bekuar Ramazan. Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, i është adresuar opinionit publik dhe gjithë besimtarëve myslimanë me mesazh urimi me rastin e fillimit të muajit të bekuar Ramazan.

Myftiu Tërnava ka theksuar se Ramazani është një muaj madhështor në të cilin shumëfishohen veprat e mira dhe falen mëkatet për ata që agjërojnë dhe falin namazin me besim dhe devotshmëri. Sipas tij, agjërimi ka shumë dobi dhe urtësi.

“Duke e bërë agjërimin në formën më të mirë, besimtari e fisnikëron moralin, durimin, bujarinë dhe përpjekjet në atë që e kënaq Zotin. Muaji Ramazan është një mundësi që vjen vetëm një herë në vit, andaj ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe të përfitojmë prej tij, sikur të jetë Ramazani i fundit që do ta përjetojmë. Urime, shëndet dhe mbarësi për të gjithë besimtarët kudo që janë! Agjërim të lehtë dhe të pranuar te Zoti”, ka theksuar ai.

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika