Mikheil Kavelashvili, një kritik i linjës së ashpër ndaj Perëndimit, u betua si president i Gjeorgjisë të dielën në mes të një krize politike pasi qeveria ngriu bisedimet për aplikimin në Bashkimin Evropian, në një lëvizje që shkaktoi protesta të mëdha.
Presidentja në largim Salome Zourabichvili, që është pro-BE-së dhe një kundërshtare e partisë në pushtet, ka thënë në një fjalim sfidues para mbështetësve jashtë pallatit presidencial se ajo po largohej nga rezidenca, por se Kavelashvili nuk kishte legjitimitet si president, që është një pozicion kryesisht ceremonial.
“Unë do të dal nga këtu dhe do të jem me ju, po marr legjitimitetin me vete, po marr flamurin me vete, po marr besimin tuaj me vete”, ka thënë Zourabichvili përpara se të dilte nga pallati për t’u përzier me mbështetësit e saj.
Zourabichvili thotë se Kavelashvili nuk u zgjodh siç duhet, pasi ligjvënësit që e zgjodhën atë dolën nga zgjedhjet parlamentare të tetorit, të cilat u karakterizuan nga mashtrimi. Partitë opozitare të Gjeorgjisë e mbështesin atë.
Partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane dhe komisioni zgjedhor i vendit thonë se zgjedhjet e tetorit ishin të lira dhe të ndershme. Partia në pushtet thotë se Kavelashvili është presidenti i zgjedhur legjitim.
Kavelashvili, një ish-futbollist profesionist i cili ka luajtur për një kohë të shkurtër si sulmues për Manchester Cityn, ka akuzuar vazhdimisht agjencitë e inteligjencës perëndimore për komplot për ta futur Gjeorgjinë në luftë me Rusinë fqinje.
Përplasja presidenciale shihet si një moment vendimtar në Gjeorgji, një vend ky malor me 3.7 milionë banorë, i cili deri vonë konsiderohej si një nga shtetet më demokratike dhe properëndimore të ish-bllokut sovjetik.
Kavelashvili është një besnik i Bidzina Ivanishvilit, një ish-kryeministër miliarder i izoluar, i cili shihet gjerësisht si udhëheqësi de fakto i Gjeorgjisë.
Të premten, SHBA vendosi sanksione ndaj Ivanishvilit, duke thënë se ai po drejtonte kthesën aktuale antiperëndimore dhe pro-ruse të Gjeorgjisë./rtk