Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim Tërnava, sot, në të gjitha xhamitë e Kosovës, ka thënë se një pjesë e mesazhit të xhumasë iu kushtua situatës së sigurisë në vend, pas sulmit terrorist të fundit në kanalin kryesor të Ibër Lepencit, që ndodhi në veriun e vendin më 29 nëntor, transmeton KosovaPost.
Në këtë mesazh u iu bë thirrje besimtarëve myslimanë që të jenë të kujdesshëm dhe vigjilentë për mënyrën se si komunikojnë me të tjerët.
Gjithashtu pjesë e mesazhit ishte edhe bashkimi i të gjithëve, në mënyrë që të angazhohen me të gjitha kapacitetet për të parandaluar çdo kërcënim, që mund ta cenojë paqen dhe sigurinë e kombit dhe shtetit.
“Prandaj, ju ftojmë që së bashku me bashkësinë tonë fetare, të jemi të bashkuar dhe të bashkëpunojmë ngushtë me institucionet tona, institucione të cilat i kemi themeluar e ndërtuar me gjakun e bijve dhe bijave tanë nëpër breza, prandaj duhet të angazhohemi bashkë me autoritetet për të parandaluar çdo kërcënim, që mund të cenojë paqen dhe sigurinë e kombit e të shtetit tonë”.
“Ne kemi obligim të mbështesim institucionet e sigurisë me të gjitha mundësitë tona, t’u besojmë atyre dhe të japim kontributin tonë për një Kosovë të sigurt për të gjithë qytetarët. Bashkëpunimi dhe besimi ndaj institucioneve është një hap i rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë kombëtare”, thuhet në njoftim të BIK-ut.