Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka pritur në takim një delegacion të përbërë nga deputetë të Bundestagut gjerman, të shoqëruar nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, transmeton KosovaPost.
Bislimi shprehu mirënjohjen e tij për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në shtetndërtimin e Kosovës, progresin dhe zhvillimin e vendit.
“Ai i prezantoi më tej deputetët me situatën në vend dhe objektivat e synimet e qeverisë, duke veçuar ato në integrimin evropian si proces me prioritet të lartë për vendin tonë, si dhe të arriturat në rrafshin ekonomik në indikatorë relevantë dhe atë të sundimit të ligjit”, thuhet në njoftimin e zyrës së Kryeministrisë.
Më tej u cekën dhe tema si arritja e liberalizimit të vizave, bashkëpunimi rajonal, procesi i dialogut dhe akti i agresionit në Banjskë.
“Mbi këtë të fundit, deputetët Josip Juratovic dhe Thomas Hacker, përgëzuan Policinë e Kosovës për reagimin e matur dhe shfaqën shqetësimin për arsenalin e madh të armatimit të gjetur”, thuhet në njoftim.