Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim përfaqësuesin e posaçëm të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor Anzej Franges.
Franges shoqërohej edhe nga ambasadori i Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj.
Zyra e Kryeministrit njofton se në takim u diskutua rreth zhvillimeve në vend dhe situatës në rajon.
“Bislimi theksoi se mbetet me rëndësi formimi sa më parë i qeverisë së re pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, dhe votimi në Kuvend mes tjerash edhe i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe Planit të Rritjes me Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.
Në përfundim të takimit, Bislimi falënderoi Frangeš për bisedën dhe i uroi qëndrim të frytshëm në Kosovë.


























