Gjatë një vizite në Uzbekistan të mërkurën, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se administrata e presidentit amerikan, Joe Bidenit nuk ka prova se presidenti rus, Vladimir Putin është i gatshëm të angazhohet për bisedime serioze për paqe.
Kina dhe Bjellorusia, një aleat i ngushtë i Rusisë, kanë bërë thirrje për fillimin e negociatave, raporton skynews.
“Përkundrazi, provat janë të gjitha në drejtim të kundërt”, pohoi kryediplomati amerikan.
“Pyetja e vërtetë është nëse Rusia do të arrijë në një pikë ku është vërtet e përgatitur për t’i dhënë fund agresionit të saj”, shtoi ai.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në Evropë këmbëngulin se qëllimi i tyre kryesor për momentin është rritja e ndihmës ushtarake për Ukrainën, në mënyrë që ajo të rimarrë territoret e saja dhe të jetë në një pozicion më të mirë nëse fillojnë bisedimet me Rusinë.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit të kaluar duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të mëdha materiale.
























