Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Kosovës, ka miratuar Udhëzimin për Standardizimin e QR Kodit që do të përdoret për pagesa në Republikën e Kosovës.
Sipas BQK-së, qëllimi i këtij udhëzimi është të përcaktojë rregullat dhe kërkesat teknike për zhvillimin dhe funksionimin e strukturës së QR Kodit në Kosovë, që do të përdoret për pagesat në shitjet me pakicë dhe për pagesat e faturave.
“Ai synon të promovojë përdorimin më të gjerë të pajisjeve digjitale dhe telefonave të mençur për kryerjen e pagesave, duke siguruar ndërveprim të qëndrueshëm dhe të sigurt midis ofruesve të shërbimeve dhe konsumatorëve”, thuhet në komunikatën për media, transmeton Klankosova.tv.
BQK-ja ka adoptuar standardin e përcaktuar nga Këshilli Evropian për Pagesa (EPC), i cili përfshin standardin e QR kodit që përdoret në BE për transferat e pagesave të iniciuara nga telefonat e mençur dhe për sistemet e pagesave të shpejta.
Përdorimi i këtij standardi do të sjellë disa përparësi dhe përfitime:
– Për qytetarët;
– Për tregtarët dhe ofruesit e shërbimeve;
– Për ofruesit e shërbimeve të pagesave;
– Për institucionet publike.
“Me këtë standard, Banka Qendrore synon që në Republikën e Kosovës, QR kodet të përdoren në mënyrë efikase për qëllime pagesash në sisteme dhe platforma të ndryshme, duke reduktuar fragmentimin e tyre”.