Banka Qendrore e Republikës së Kosovës njofton se në kuadër të angazhimit të saj për Edukimin Financiar ka lansuar sot në fazë testuese Platformën për Krahasimin e Produkteve dhe Shërbimeve Financiare, e cila do të zgjasë për një kohë të caktuar, derisa merren komente dhe finalizohet legjislacioni përkatës.
Në kumtesën për media theksohet se platforma ka për qëllim të ofrojë transparencë më të madhe në tregun financiar, duke ndihmuar qytetarët të marrin informacione të detajuara mbi normat e interesit dhe tarifat për produktet dhe shërbimet më të përdorura financiare të ofruara nga institucionet financiare për individ.
Po ashtu , platforma u mundëson qytetarëve të krahasojnë ofertat e ndryshme të sektorit bankar për produktet e njëjta për të bërë zgjedhjen më të përshtatshme sipas nevojave të tyre.
Më tej theksohet se qëllimi i platformës është të mbështesë Edukimin Financiar, të rrisë transparencën dhe mbrojtjen e konsumatorëve, si dhe të avancojë qasjen në financa për qytetaret në vend.
“Në këtë fazë, në Platformë janë shpalosur produktet dhe shërbimet më të përdorura financiare për individ në sektorin bankar, megjithatë planifikohet që të zhvillohet dhe plotësohet me informata shtesë për sektorin bankar, si pjesa e pagesave – transferëve bankare, pastaj me produkte për institucionet mikrofinanciare, institucionet financiare jo-bankare dhe produkte të kompanive të Sigurimeve”.
“Institucionet financiare do të jenë përgjegjëse për saktësinë, përditësimin dhe vërtetësinë e të dhënave të paraqitura, pas përfundimit te fazës testuese”.
BQK sqaron se platforma për Krahasimin e Produkteve dhe Shërbimeve Financiare është një web aplikacion, i cili është i disponueshëm në tri gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht. Konsumatorët mund ta përdorin atë lehtësisht pavarësisht nga pajisja e përdorur, si desktop, laptop, telefona të mençur dhe tablet.
Kjo platformë është e qasshme përmes web faqes zyrtare të BQK-së në www.bqk-kos.org, tek pjesa e portaleve të BQK-së, apo drejtpërdrejt në https://krahaso.bqk-kos.org. Qytetarët mund të mësojnë më shumë mbi funksionalitetet e saj përmes materialeve udhëzuese dhe videove të publikuara në faqen zyrtare të Edukimit Financiar të BQK-së, përkatësisht në linkun https://bqk-kos.org/edu/.