Kandidati republikan presidencial, Donald Trump ka deklaruar sonte që nëse ai fiton Shtëpinë e Bardhë, do ta shkarkojë prokurorin special Jack Smith “brenda dy sekondave” nga marrja e detyrës.
”Është kaq e lehtë”, u përgjigj tutje Trump, kur u pyet gjatë një interviste me prezantuesin, Hugh Hewitt, siç raporton AP, referuar Jack Smith, njëherit ish-kryeprokuror i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë, ku po gjykohet ish-presidenti Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, transmeton kk.
Smith, i cili u emërua nga Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland në vitin 2022, ka akuzuar ish-presidentin Trump për përpjekjet e tij për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020 dhe keqpërdorimin e dokumenteve të klasifikuara.
“Ai do të jetë një nga gjërat e para të adresuara”, ka shtuar Trump, transmeton klankosova.tv.
Trump, i cili e sulmon rregullisht prokurorin special dhe ka deklaruar më parë se do ta shkarkonte nëse do të ishte president, e quajti Smithin një “person të poshtër”.
Kujtojmë se në nëntorin e 2022-ës, Smith kishte braktisur detyrën në Hagë, për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara me qëllim që ta hetojë Trumpin.
Ai është fokusuar në hetimin e dokumenteve të klasifikuara të gjetura në shtëpinë e Donald Trumpit dhe për rolin e ish-presidentit në sulmin ndaj Capitolit.