Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se partia e saj nuk do të pranojë takime me kryeministrin Albin Kurti pa një ftesë zyrtare të specifikuar dhe të qartë për procesin e zgjedhjes së presidentit.
Ajo tha se PDK-ja nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare nga Kurti për këtë çështje, duke shtuar se deri më tani partia ka qenë konstruktive në çdo takim të mëhershëm.
“PDK nuk ka marrë ndonjë ftesë nga kryeministri Kurti lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit”, ka thënë Deliu-Kodra.
Ajo ka theksuar se PDK ka marrë pjesë në takime të mëparshme “pa kushte”, duke përfshirë edhe ato të mbajtura në Qeveri dhe gjatë fundjavës, me qëllim, siç tha ajo, daljen nga bllokada institucionale.
Megjithatë, sipas saj, kryeministri Kurti po tenton të zhvendosë përgjegjësinë për situatën politike tek opozita.
“Ai po kërkon që të gjejë një fajtor për bllokadën që e ka krijuar vetë. Albin Kurti po kërkon që ta hedhë fajin tek partitë opozitare për përgjegjësinë që e ka vetë, për mungesën e llogaridhënies që e ka vetë dhe për mos gatishmërinë e tij për t’i hapur rrugë krijimit të institucioneve të reja dhe për të mos provokuar zgjedhje të reja”, ka theksuar ajo në Dukagjini.
Deliu-Kodra ka shtuar se PDK nuk do të marrë pjesë në takime të reja pa një ftesë zyrtare që përcakton qartë temat, parimet dhe kornizën e një marrëveshjeje të mundshme.
“Andaj PDK, duke parë që ai po do që të duket para opinionit kinse është gjeneroz dhe do të prodhoj një marrëveshje tash e tutje në këtë fazë të komunikimit ne kemi qëndrimin zyrtar që nuk do të pranojmë asnjë takim pa pasur një ftesë zyrtare e cila do të specifikonte, cila do të jetë marrëveshja, cilat do të jenë kriteret, cili parim do të jetë dhe cila do të jetë forma e arritjes së një marrëveshje nëse realizohet. Në rast se ne nuk kemi diçka të shkuar ne nuk do të tolerojmë që tash e tutje të kemi sjellje të pareshtura të ftesave që kinse i bën Kurti”, ka deklaruar ajo.


























