Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka publikuar vendimin për çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve në tregun vendor, për ditën e sotme.
Sipas këtij vendimi nafta (dizel) mund të shitet me çmim maksimal 1.86 euro për litër, derisa benzina për 1.49 euro për litër.
Ministria thekson se asnjë operatorë ekonomikë nuk lejohet të tejkalojë çmimin maksimal ditor të publikuar.
“Për zbatimin e këtij vendimi do të rritet mbikëqyrja në terren nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe në koordinim me Autoritetin e Konkurrencës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MINTI-t.
“MINTI u bën thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të zbatojnë me përpikëri vendimin e ri, me qëllim garantimin e një tregu funksional, të qëndrueshëm dhe në shërbim të interesit të konsumatorit. Këto masa nuk kanë për qëllim të dëmtojnë apo të sanksionojnë asnjë subjekt ekonomik. Ato janë të hartuara për të siguruar barazi në treg, për të mbrojtur konsumatorin dhe për të reflektuar kujdes të shtuar në një periudhë të ndjeshme të luhatjeve dhe pasigurive në tregjet globale të derivateve të naftës”, thekson tutje MINTI.
Kjo ministri ka paralajmëruar se çdo shkelje e këtij vendimi do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.


























