Susumu Kitagawa, Richard Robson dhe Omar M. Yaghi janë fituesit e Çmimit Nobel në Kimi për vitin 2025.
Njoftimi është bërë nga Akademia Mbretërore e Shkencave në Suedi.
Ky çmim vlerëson jo vetëm një arritje shkencore, por edhe një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të materialeve që mund të kontribuojnë në mbrojtjen e klimës dhe të mjedisit.
“Këto materiale poroze përbëhen nga ione metali dhe molekula organike, të organizuara në forma kristalore me zgavra të mëdha. MOF-et janë fleksibël dhe të personalizueshme, çka i bën ato të përshtatshme për një sërë aplikimesh mjedisore dhe industriale, si kapja e dioksidit të karbonit (CO₂) nga atmosfera, pastrimi i ujit nga ndotës të rrezikshëm, ruajtja ose filtrimi i gazeve toksike, mbledhja e ujit nga ajri në zonat e thata dhe nxitja e reaksioneve kimike në mënyrë efikase”, thuhet në njoftim.
Të tre fituesit do të ndajnë një çmim prej 11 milionë krunave suedeze (rreth 1 milion euro).
Zbulimi i parë u bë nga Richard Robson në vitin 1989, ndërsa Kitagawa dhe Yaghi zhvilluan më tej strukturat MOF duke i bërë më të qëndrueshme, funksionale dhe të aplikueshme në praktikë.
“Strukturat metaliko-organike kanë potencial të jashtëzakonshëm për të ndihmuar në zgjidhjen e sfidave të mëdha globale,” u shpreh Heiner Linke, Kryetar i Komitetit Nobel për Kiminë.
Profesori Kitagawa punon në Universitetin e Kjotos në Japoni, profesori Richard Robson në Universitetin e Melburnit në Australi dhe profesori Omar M. Yaghi në Universitetin e Kalifornisë në Shtetet e Bashkuara.
Gjatë javës janë ndarë edhe çmimet Nobel për Fizikë dhe Mjekësi./rtk


























