Federata e Hendbollit e Kosovës ka nisur aktivitetet për vitin 2026, ndërsa Kombëtarja A e Kosovës në hendboll (meshkujt) do të zhvillojë dy ndeshje miqësore në Slloveni gjatë javës së ardhshme.
Miqësoret janë planifikuar nga shtabi teknik, i udhëhequr nga selektori Jesper Ostlund, me synimin që ekipi kombëtar të jetë sa më i përgatitur dhe i harmonizuar për ndeshjet e ardhshme garuese.
Kombëtarja e Kosovës do të udhëtojë të martën mbrëma drejt Laskos, ku edhe do të zhvillohet miqësorja e parë.
Të enjten, më 8 janar, nga ora 17:00, Kosova do të përballet me Kuvajtin, në Lasko.
Ndërkohë, miqësorja e dytë do të luhet të shtunën, më 10 janar, nga ora 11:00, në Rogaska Slatina, ku Kombëtarja jonë do të ndeshet me Algjerinë.
Për këto dy takime, selektori Ostlund pritet të ketë në dispozicion një numër më të madh lojtarësh, çka do t’i mundësojë testimin e alternativave dhe rritjen e konkurrencës brenda skuadrës./rtk


























