Gazetari Daut Dauti ka folur për deklaratën e deputetes britanike, Alicia Kearns, e cila i ka reaguar Amerikës për deklaratat e fundit, ku ambasadori Jeffrey Hovenier tha se qeveria amerikane është thellësisht e shqetësuar me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, duke përmendur çështjen e dinarit dhe mbylljen e komunave paralele në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë.
Në Klan Kosova, ai tha se reagimi i Kearns tregon se politika e jashtme britanike është kritike ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Britania e Madhe nuk e ka ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës. Kjo është një kritikë mjaft serioze dhe bënë me dije se nuk ka politikë të përbashkët mes Britanisë dhe ShBAa-së, praktikisht sipas deklaratës së saj dhe shkrimeve në mediat në Britani”.
“Kemi të bëjmë me politika të ndryshme, politika britanike është në favor të Kosovës, nëse i shohim deklaratat e ambasadorëve amerikan në Kosovë dhe Serbi, mbrohet Serbia në rastin kur Qeveria e Kosovës merr një vendim të anulojë një veprimtari të paligjshme të shtetit fqinj, të dy ambasadorët reagojnë se një politikë e tillë shkakton probleme e pasiguri për serbët në Kosovë”.
“Këtë pyetje e ka bërë edhe Kearns se si kjo shkakton probleme, një politikë e ligjshme ndaj një veprimi jo ligjor? Dhe, pse ambasadorët nuk reaguan kështu ndaj Serbisë me rastin e sulmit në Banjskë? Është një nivel i kritikës serioze që po ndodh nga politika e jashtme në Britani”, ka thënë Dauti.