Kandidatja demokrate për presidente të Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, e detyroi rivalin e saj republikan, Donald Trump, që të vendosej në mbrojtje në debatin e ashpër të së martës mbrëma me një varg kritikash për aftësinë e tij për ta udhëhequr vendin, për mbështetjen që ai ua ka dhënë kufizimeve rreth abortit dhe për problemet e shumta ligjore.
Ish-prokurorja Harris e kontrolloi debatin që nga fillimi, duke e nxitur zemërimin e dukshëm të Trumpit, i cili u detyrua që të jepte kundërpërgjigje plot pasaktësi, raporton agjencia “Reuters”.
Në një moment, zonja Harris tha se njerëzit shpesh largohen nga fushata e Trumpit para kohës “për shkak të dërrmimit dhe të qenët i mërzitshëm”.
Trumpi, që është zemëruar me madhësinë e tubimeve të Harrisit, tha: “Tubimet e mia, ne i kemi tubimet më të mëdha, tubimet më të pabesueshme në historinë e politikës”.
Më pas, ai bëri një pretendim të rremë për imigrantët që gjoja po hanin kafshë shtëpiakenë Ohio. Ky pretendim ka qarkulluar në rrjete sociale dhe është fuqizuar nga kandidati republikan për nënpresident, JD Vance.
“Ata po hanë qen. Njerëzit që hynë [në ShBA], ata po hanë mace! Ata po i hanë kafshët shtëpiake të njerëzve që jetojnë atje” – tha Trumpi, ndërsa Harrisi qeshte nga mosbesimi i asaj që po e dëgjonte.
Dy rivalët u përplasën për migracionin, politikën e jashtme dhe kujdesin shëndetësor, por debati nuk qe i mbushur me hollësi specifike rreth politikave.
Trumpi e përsëriti pretendimin e tij të rremë se humbja e tij në zgjedhjet e vitit 2020 erdhi për shkak të mashtrimit, e quajti Harrisin “marksiste” dhe pohoi në mënyrë të rreme që imigrantët kanë shkaktuar një valë të krimevetë dhunshme.
“Trumpi e humbi mundësinë për të qëndruar i fokusuar në ndjekjen e rastit kundër Bidenit e Harrisit për ekonominë dhe kufirin dhe, në vend të kësaj, ra në karremin e saj dhe i ndoqi vrimat e lepurit rreth mohimit të zgjedhjeve dhe se imigrantët po i hanin kafshët tona shtëpiake” – tha Marc Short, që ka shërbyer si shef i stafit të ish-nënpresidentit Mike Pence, kur Trumpi ishte president.
Ylli i popit, Taylor Swift, iu tha 283 milionë ndjekësve të saj në rrjetin “Instagram” menjëherë pas debatit se ajo do ta përkrahë nënpresidenten Harris dhe kandidatin e saj për nënpresident, Tim Walz, në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Në tregun për parashikime në internet “Predictlt’s: gjasat e Trumpit për fitore ranë gjatë debatit, nga 52 në 47 për qind, ndërsa gjasat e Harrisit u ngritën nga 53 në 55 për qind.
Si shenjë e vetëbesimit në rezultatin e debatit, zyrtarët e fushatës së Harrisit e sfiduan Trumpin me një ballafaqim të ri në tetor.
Kur u pyet për kërkesën e zyrtarëve të fushatës së Harrisit për një debat tjetër, Trumpi tha: “Ajo e dëshiron këtë, sepse humbi. Më duhet të mendoj për këtë, por nëse e keni fituar debatin, disi mendoj se ndoshta nuk duhet ta bëj atë. Pse duhet të bëj një debat tjetër?”/