Një delegacion amerikan do të kërkojë përparim drejt një armëpushimi në Detin e Zi dhe një ndërprerje më të gjerë të dhunës në luftën në Ukrainë kur të takohet për bisedime me zyrtarët rusë të hënën, pas diskutimeve me diplomatët nga Ukraina të dielën.
Të ashtuquajturat bisedime teknike vijnë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, intensifikon përpjekjet e tij për ndalimin e sulmit trevjeçar të Rusisë kundër Ukrainës. Javën e kaluar, ai foli me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe presidentin rus Vladimir Putin.
Një burim i informuar mbi planifikimin e bisedimeve tha se pala amerikane drejtohej nga Andreë Peek, një drejtor i lartë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë dhe Michael Anton, një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Ata takuan ukrainasit të dielën mbrëma dhe planifikojnë të ulen me rusët të hënën.
Shtëpia e Bardhë thotë se qëllimi i bisedimeve është arritja e një armëpushimi detar në Detin e Zi, duke lejuar rrjedhën e lirë të anijeve.
Këshilltari për sigurinë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Mike Ëaltz, i tha CBS të dielën se delegacionet e SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës ishin mbledhur në të njëjtin objekt në Riad.
Përtej një armëpushimi në Detin e Zi, tha ai, ekipet do të diskutojnë “vijën e kontrollit” midis dy vendeve, të cilën ai e përshkroi si “masa verifikimi, paqeruajtje, ngrirje të linjave ku ndodhen”.
Ai tha se po diskutohen “masat e ndërtimit të besimit”, duke përfshirë kthimin e fëmijëve ukrainas të marra nga Rusia.
Rusia do të përfaqësohet nga Grigory Karasin, një ish-diplomat që tani është kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Këshillit të Federatës dhe Sergei Beseda, një këshilltar i drejtorit të Shërbimit Federal të Sigurisë, transmeton Klankosova.tv.
Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, kreu i delegacionit ukrainas, tha në Facebook se bisedimet SHBA-Ukrainë përfshinin propozime për të mbrojtur objektet energjetike dhe infrastrukturën kritike.