Të gjitha bizneset e vogla të cilat duan që të vazhdojnë me furnizimin me energji elektrike me tarifa të rregullta, afatin për aplikim e kanë deri të hënën e javës që vjen, më 7 prill.
Kjo vlen për ato biznese të vogla që kanë më pak se 50 punëtorë dhe qarkullim vjetor nën 10 milion euro.
Sipas KESCO-s që këto biznese të shmangin kalimin në tregun e hapur, duhet të dëshmojnë me dokumente se mund të vazhdojnë të furnizohen me tarifa të rregullta.
“ KESCO njofton të gjitha bizneset e vogla (më pak se 50 punëtorë dhe qarkullim nën 10 milionë euro vjetor) që afati për dorëzimin e dokumenteve të nevojshme për vazhdimin e furnizimit me energji elektrike me tarifa të rregulluara është të hënën, më 7 prill. Për të shmangur kalimin në tregun e hapur të energjisë, këto biznese duhet të dëshmojnë se mund të vazhdojnë të furnizohen me tarifa të rregulluara nga KESCO, duke dorëzuar vetëm dy dokumente: Certifikatën e biznesit me numrin unik dhe shifrën e konsumatorit të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin nga KESCO.