100.000 njerëz kanë demonstruar në qendër të Beogradit, studentë dhe qytetarë të tjerë, kundër Vuçiqit dhe qeverisë së tij. Protestat po e tronditsin qeverinë serbe, si do veprohet më tej.
Në qendër të Beogradit u mblodhën të dielën (22 dhjetor) mbi 100.000 njerëz, njoftoi Arkivi i Tubimeve Publike, i cili merret me numërimin dhe llogaritjen e numrit të demonstruesve në tubime të ndryshme.
Kjo e bën këtë edhe tubimin më të madh në Serbi që nga 5 tetori i vitit 2000 kur u rrëzua Millosheviqi nga pushteti. Ndërsa policia flet për 30 mijë pjesëmarrës, e këtë e tha edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.
Është e qartë se thirrjes së studentëve që po bllokojnë fakultetet iu përgjigj një numër i madh i qytetarëve, të cilëve në protestë iu bashkuan edhe fermerët. Masiviteti i protestave është elementi që bie më shumë në sy, ndërkohë që shpresa kryesore e autoriteteve ishte shuarja graduale e protestave studentore, që filluan para disa javësh.
Protesta kaloi pa incidente të mëdha, por gjatë ditës ishte evidente se qeveria po përpiqej në mënyra të ndryshme të parandalonte një reagim më të madh të qytetarëve. Kështu që qëllimisht u ndalën trenat për në Beograd dhe autobusët.
E teksa qytetarët po përgatiteshin për protestën, Vuçiqgjatë ditës hapi pjesën e autostradës nga Krushevci për në Vërnjaçka Banja, ndërsa vëzhguesve të kujdesshëm nuk iu shpëtoi fakti që presidenti shoqërohej nga ambasadoriamerikanChristopher Hill.
Vuçiq përsëriti qëndrimin e tij se “nuk do t’ia dorëzojë askujt pushtetin pa zgjedhje, nuk ka bir nëne që do ta marrë pa zgjedhje sa të jem gjallë. Ju mund të më vrisni, por pa zgjedhje nuk do të merrni pushtetin”. Në mbrëmje, Aleksandar Vuçiq mbajti një fjalim ku tha se “një tubim jashtëzakonisht i madh është mbajtur në Beograd. Ata janë të orientuar nga opozita, por unë kam qenë gjithmonë i gatshëm të dëgjoj se çfarë mendojnë të tjerët”, tha Vuçiq. Por ai theksoi se “nën flamurin serb duhet të të bashkohemi rreth qëllimeve themelore”.