Devolli Corporation ka arritur sërish një sukses të jashtëzakonshëm duke u shpallur si korporata e vitit në të tri kategoritë e ndara nga Oda Ekonomike e Kosovës për vitin 2024.
Kjo kompani ka marrë çmimet për Punëdhënësin e Vitit, Eksportuesin e Vitit dhe Tatimpaguesin e Vitit.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve u mbajt të premten në Klan Arena, ku u mblodhën qindra përfaqësues të bizneseve të suksesshme nga Kosova, rajoni dhe bota, si dhe përfaqësues të ambasadave të huaja në Kosovë.
Lulzim Rafuna, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, theksoi rëndësinë e bizneseve në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe kontributin e tyre në promovimin e vendit në rajon. Ai falënderoi të gjitha bizneset për kontributin e tyre në taksat e paguara gjatë vitit 2024, duke thëne se ato janë thelbësore për stabilitetin dhe zhvillimin e Kosovës.
Kjo nuk është hera e parë që Devolli Corporation arrin këtë sukses. Korporata, e cila ka bazën në Kosovë dhe është e pranishme në shumë vende të Evropës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vazhdon të tregojë rezultate të shkëlqyera dhe ka plane ambicioze për zhvillim në vitet e ardhshme.