Prizren- Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën po mbahet seanca paraprake ndaj Dibran Hoxhës i njohur me nofkën “Kobra” dhe pesë të tjerëve Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrllahi, të dyshuar për rastin e vrasjes së V.C, të martën në Prizren.
Sipas Prokurorisë, Dibran Hoxha po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, armëmbajtje pa leje dhe manipulimi me prova, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në kërkesën e prokurorisë thuhet se duke marrë parasysh veprat penale që dyshohen se janë kryer, vepra penale e vrasjes së rëndë është e rrezikshmërisë së madhe me dënueshmëri të lartë, kjo tregon rrezikun e ikjes së të dyshuarit nga territori i Republikës së Kosovës, me qëllim të shmangies nga procedura penale.
“Më dt 03.01.2023, rreth orës 04:00, në afërsi të lokalit të ttij “Kobra City”, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren- Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën V.C, duke vë në rrezik jetën e të dëmtuarit R.Sh, të cilin e plagos dhe duke vë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit A.B, që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë, në atë mënyrë që për shkak të nnjë mosmarrëveshje paraprake që kishin pas rreth pagimit të faturës në lokal, fillon përleshja në mes punëtorëve në lokalin “Kobra City”, me të dëmtuarit ku pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën “Mercedes” FA 19-PFX, me targa angleze, për tu larguar në parkingun e lokalit, paraqitet i dyshuari Dibran Hoxha, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin V.C, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe R.Sh, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e përparme, dhe si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri V.C ndërron jetë rrugës për në spitalin e Kukësit, derisa R.Sh nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Me këtë, Hoxha dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, nënpar, 1.5 të Kodit Penal.