Është djegur vetura e kryesuesit të Kuvendit Komunal në Leposaviq, Gorski Guriq. Këtë e ka bërë të ditur zëvendësministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri.
Vokrri, në një postim në Facebook, tha se djegia e veturës së kryesuesit të Kuvendit Komunal në Leposaviq, Gorski Guriq, vije pas shpeshtimit të kërcënimeve nga militantët e Radoiçiqit kundrejt serbëve që i kanë përzënë nga oborret dhe institucionet.
“Dje e patë grafitin “JE I VDEKUR!” në veturën e z. Sladjan Mijajloviq, zyrtar komunal në Leposaviq. Edhe maltretimi fizik i kolegëve të këtyre nga ana e shërbimit sekret dhe policisë së regjimit fashist të Beogradit, sa herë kalojnë tek familjarët në Serbi, bëhen me të njejtin mesazh: “mos u afroni me shqiptarët e mos e pranoni Kosovën për shtetin tuaj! Sot më shumë se kurrë duhet të shfaqim mirënjohje dhe t’i inkurajojmë qytetarët serbë të Republikës së Kosovës që të mos gjunjëzohen nga presioni i terroristëve, por as nga propaganda e disa mediave tona të cilat ia bëjnë argatin Vuçiqit në agjendën për destabilizim dhe gjymtim të Kosovës”, shkruan Vokrri.
Vokrri shkruan se angazhimi i tij ka qenë dhe vazhdon të jetë për afirmim dhe inkurajim të serbëve që të mos ndihen të braktisur e të tradhtuar për besnikërinë e tyre në ndërtim të institucioneve tona.