Gjeneratat e reja në të gjitha njësitet e FSK-së, tash e tutje do të marrin mësime e këshillime edhe nga trembëdhjetë nënoficerë që diplomuan sot, duke u bërë gjenerata e dytë e të diplomuarve në Kursin për Rreshter Major, ceremoni kjo që u mbajt në ambientet e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.
“Forca e Sigurisë është ndërtuar dhe po edukohet mbi bazën e vlerave dhe standardeve më të larta të Ushtrisë Amerikane. Shkolla e Nënoficerëve në KDS ka realizuar me sukses kompletimin e edukimit më të lartë të nivelit të nënoficerëve”, bëhet e ditur në njoftimin e shpërndarë nga Forca e Kosovës.
Në emër të komandantit të FSK-së, komandanti i KDS-së gjeneral brigade Jeton Dreshaj, i uroi të diplomuarit për sukseset e arritura gjatë shkollimit.