Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka përkujtuar sot Ditën e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke nderuar të gjithë ata që me guxim dhe sakrificë kontribuuan në çlirimin e vendit.
Në postimin e tij në Facebook, Basha ka theksuar rëndësinë e datës 30 dhjetor, e cila lidhet me rezistencën heroike të familjes Jashari në Prekaz më 1991. Ai ka kujtuar se gjatë këtij aksioni të armatosur, Adem, Hamza dhe Rifati Jashari, së bashku me familjarët, kushërinjtë, shokët dhe bashkëfshatarët, mbrojtën shtëpinë dhe idealin e lirisë, duke bërë kështu një veprim simbol të qëndresës dhe guximit për të drejtat e shqiptarëve.
Basha ka nënvizuar se në këtë ditë kujtohet sakrifica e familjes Jashari, e gjithë ushtarëve të UÇK-së, dëshmorëve, bashkëluftëtarëve dhe shokëve të tyre, të cilët me veprën dhe vendosmërinë e tyre hapën rrugën për ndërtimin e shtetit të Kosovës.
“Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mirënjohje e respekt i përhershëm për veteranët e saj”, ka shkruar Basha në Facebook.


























