Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj ka folur për herë të parë për vrasjen e gruas shtatzënë Hamide Magashit në oborrin e klinikës.
Ndrejaj ka thënë se ky rast ishte tronditës për ta, dhe konsideron se ishin me fat që paraprakisht ishin mbyllur disa nga hyrjet e klinikës e që sipas tij mund të jetë parandaluar ndonjë vrasje tjetër nga ish-burri i Megashit.
“Shumë tronditëse. Është rasti i parë që 22 vite që ka ndodh jashtë klinikës po flas. Se në klinikë ndoshta është një send i mirë që kemi bërë e kemi ndal dhe hyrjen e palëve brenda klinikës, që e kemi lënë një derë të vetme. Paramendo nëse kish pas me hy përmes 5 a 6 hyrjeve brenda në klinikë, ndoshta kishte mundur me hy vrasësi dhe në dhomë dhe me shkaktu dhe ndonjë vrasje tjetër dhe gjatë korridorit gjatë ecjes me shkaktu dhe vrasje të personelit. Por fati që kemi marrë një hap dhe e kemi stopu hyrjen brenda të palëve pa nevojë”, ka deklaruar Ndrejaj.
Ndryshe në Gjinekologji nga 1 Janari deri në dhjetor të vitit 2022 janë kryer 8 mijë e 520 lindje. Prej tyre me prerje cezariane janë 3 mijë e 010 raste. Lindje me binjak 214 dhe lindje me tre fëmijë -Trigemini 21 raste. Ndërsa prej këtij numri të lindjeve 4 mijë e 479 janë meshkuj dhe 4 mijë e 278 femra.
E drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj i cili së fundi ka marrë këtë detyrë thotë se me ardhjen e tij në këtë pozitë, ka filluar t’i bëjë disa ndryshime, me qëllim që klinika të funksionojë sa më mirë.
“Me ardhjen time në detyrë kemi fillu me disa ndryshime, me do veprime të cilat është dashur me i marrë.. Ka fillu një organizim i ri në Gjinekologji. Kemi fillu me një riorganizim të stafit të mesëm që kemi mungesë të stafit të mesëm.. Kemi bërë riorganizim punën e mjekëve. Disa mjek të ri që deri tash sipas dijes sime nuk kanë punu sa duhet, janë anashkaluar, a me qëllim a pa qëllim nuk e di. Por kemi filluar me stimulimin e tyre dhënien e punës, me i forcu me shumë me punë. Si mjekët e ri në specializim ashtu dhe mjekët specialista, kemi shku me një rrotacion në hyrjen e sallave të operacionit”, tha ai.
E sa i përket ankesave të pacientëve për një trajtim jo të mirë në këtë klinikë, Ndrejaj thotë se gjërat kanë ndryshuar dhe se ata po punojnë në mënyrë që pacientët t’i marrin shërbimet e duhura, e po ashtu dhe trajtimin që meritojnë.
“Pakënaqësi mundet me pas ndokush. Por jemi këtu për me i zgjidh këto pakënaqësi. Unë i them çdonjërit që nëse ka pakënaqësi le të më drejtohet. Unë jam ai që do ta zvogëloj apo minimizoj këtë pakënaqësi tek palët “, tha ai.
Ndërsa pohon se janë detyruar ta ndalin fluksin e palëve në klinikë, për shkak të kërcënimeve ndaj stafit mjekësor, duke lënë në dispozicion vetëm një hyrje në klinikë.
“Kemi pas shumë probleme me palët, të cilët kanë bërë presion mbi stafin dhe personelin tonë, ndoshta pa qëllim por ka pasur shumë presione me i kry rastet më shpejtë, pa e dit natyrën e punës qysh ec qysh shkon procedura e punës. Kanë bërë shumë presione dhe kërcënime. Atëherë jemi detyruar që të ndalim fluksin e palëve në klinikë. Kemi bërë një derë hyrje me një mbikëqyrje më të madhe të hyrje daljeve “, tha ai.
Thotë se trendit të ikjes së personelit shëndetësor nuk i ka shpëtuar as Klinika e Gjinekologjisë. Sipas tij ata që po përgatiten të ikin jashtë, janë mjekët e rinj që janë në specializim dhe infermierët. Por thotë se Klinika e Gjinekologjike, ka mungesë të stafit të mesëm, pasi që mjek specialist ka mjaftueshëm.
“Kemi mungesë pak të stafit të mesëm, infermierëve ka mungesë…Numri i infermierëve është i vogël. Ndoshta kemi nevojë dhe për 20 infermierë për me kry punën si duhet dhe më mirë. Problemi ndoshta është dhe të anesteziologët. Por dhe me anesteziolog ne me një organizim të punës së mirë dhe në bashkëpunim me ta nuk kemi rënie të rasteve me operacion”, tha ai.