Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar lidhur me një incident i cili ndodhi pak kohë më parë në Mitrovicën e Veriut, ku dy qytetarë serb kanë mbetur të plagosur.
Sveçla ka njoftuar se edhe personi i dyshuar si doras për këtë vepër është i nacionalitetit serb.
“Sapo jam njoftuar nga Policia e Kosovës se në Mitrovicën e Veriut ka ndodhur një incident me ç’rast dy qytetar të nacionalitetit serb kanë mbetur të plagosur dhe njëri nga ta ndodhet nën tretman mjekësor. Njësitet relevante policore tashmë kanë dyshime të bazuara mbi dorasin e këtij akti i cili është po ashtu i nacionalitetit serb, pjesëtarë i strukturave paralele kriminale të Serbisë.”, ka shkruar Sveçla.
Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 18:40 në oborrin e konviktit të studentëve në veri të Mitrovicës.
“Po është e vërtetë, mund ta konfirmoj që së paku dy persona janë ther me thikë. Jemi duke punuar për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Asnjë informacion më shumë për momentin nuk mund të themi.”, tha Hoti për Gazetën10.
Sveçla, tutje ka thënë se lidhur me rastin, njësitet policore do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme në bazë të kompetencave që kanë në mënyrë që dorasi apo dorasit e këtij sulmi të sillen sa më parë para drejtësisë./

























