Me shumë orë diskutime, të ftuar nga Kosova, rajoni dhe Evropa dhe aktivitete të ndryshme në Prishtinë e Prizren, është shënuar edicioni i shtatë i Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë.
Me temën kryesore “Veprimi për Klimën”, edicioni i këtij viti që në hapje të tij ka sjellë në Prishtinë ministren Gjermane të Shtetit për Klimën, Anna Lührmann, e cila ka thënë se është e rëndësishme që të ketë bashkëpunim mes dy vendeve për të arritur synimet e përbashkëta në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm, klimës dhe për një të ardhme të gjelbër.
“Në fillim të këtij viti pata kënaqësinë të nënshkruaj partneritetin për tranzicionin klimatik dhe energjetik ndërmjet dy vendeve tona, me ministrat Rizvanolli dhe Aliu në Berlin. Ky ishte një moment shumë i rëndësishëm për mua, sepse me këtë nënshkrim e bëmë të qartë që Kosova dhe Gjermania po punojnë së bashku për një Evropë të gjelbër dhe të shëndoshë”, ka thënë Lührmann.
Në hapje të edicionit, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për nevojën dhe përkushtimin e qeverisë që udhëheq për një Kosovë të gjelbër dhe të qëndrueshme.
Sipas tij, është unike marrëdhënia që ka Kosova me Gjermaninë për mbështetjen në fushën e klimës dhe energjisë.
Në kuadër të këtij edicioni, janë mbajtur tetë panele diskutimi në fushat nga tranzicioni energjetik në Ballkanin Perëndimor, si ndikojnë në Kosovë ndryshimet klimatike e deri te plani i Kosovës për Klimën.
Bartës të institucioneve, ekspertë e përfaqësues të organizatave kanë diskutuar përgjatë pesë ditëve, ndërsa janë organizuar edhe shumë aktivitete për temën në margjina të këtij edicioni.
Gjatë tërë javës ka qenë e hapur ekspozita “Energjia në Tranzicion – Fuqizimi i të Nesërmes” dhe Këndi i Gjelbër, në kuadër të fushatës “Mendo Gjelbër. Vepro Gjelbër”. Po ashtu, në kuadër të garës për foton më të mirë, pjesëmarrësit kanë pasur mundësi të votojnë për njërën nga 7 foto të garës “Vepro Gjelbër’.
Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë ka përmbyllur edicionin e saj në Prizren në hapësirën e Parkut të Inovacionit dhe Teknologjisë, me ndarjen e çmimeve për raportimin më të mirë të gjelbër në media.