Profesori i filozofisë dhe veprimtari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Elvis Hoxha, në librin e tij të botuar në vitin 2017, “Parapolitik”, kishte bërë thirrje publike për mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke theksuar se ka ardhur koha që shoqëria dhe përfaqësuesit institucionalë të marrin përgjegjësi për të mbrojtur atë që, sipas tij, mbrojti dhe çliroi popullin e Kosovës, shkruan Kosova Post.
“Erdhi një kohë kur duhet ta mbrojmë ushtrinë që na mbrojti, ushtrinë që na çliroi”, shprehet Hoxha. Ai e cilëson UÇK-në si “ushtrinë më të pastër, me idealin më të qartë, me mendimin më të kthjellët dhe me një vullnet të ushqyer nga historia e mbushur me vuajtje dhe shkelje të të drejtave njerëzore”.
Sipas tij, sot nuk bëhet fjalë për luftë të armatosur, por për atë që ai e quan “lufta e paqes”. “Lufta e luftës i takon ushtrisë, por lufta e paqes është koha kur ushtria duhet të mbrohet. Dhe ne nuk e mbrojtëm. Ose më saktë, përfaqësuesit tanë nuk e mbrojtën”, thekson Prof Elvis Hoxha.
Në përfundim, ai shton se ushtria nuk mund të mbrohet përmes tradhtisë, duke nënvizuar nevojën për reflektim dhe qëndrim të qartë institucional ndaj historisë së luftës çlirimtare./KosovaPost/


























