Mesfushori i Kosovës, Lindon Emërllahu, është shprehur optimist për paraqitjen e ekipit në dy ndeshjet e ardhshme të tetorit në kuadër të Nations League, ku Kosova do të përballet me Lituaninë më 12 tetor dhe Qipron më 15 tetor.
Të mërkurën Kosova ka kryer stërvitjen e radhës në përgatitje për këto dy ndeshje të rëndësishme, ku synon të fitojë pikë të plota.
“Besoj se kanë shkuar shumë mirë këto tri ditë të stërvitjeve. Siç po e shihni, angazhimi është maksimal nga të gjithë futbollistët. Jemi një grup shumë i mirë. Kemi disa lojtarë me përvojë, e disa të rinj dhe jemi bërë një miks shumë i mirë”, ka thënë futbollisti i Ballkanit.
Ai ka shtuar se ekipi ka analizuar çdo ditë lojën e kundërshtarëve dhe është i përqendruar tek ndeshja e parë kundër Lituanisë: “Shpresoj që në këto dy ndeshje të marrim gjashtë pikë, por së pari vëmendja është tek ndeshja e parë të shtunës kundër Lituanisë. Pres një angazhim të mirë, sikurse ndaj Qipros. Me angazhim të tillë dhe disiplinë besoj se do të marrim tri pikë”, ka thënë ai. /rtk