Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka vlerësuar si një “hap historik” raundin e dytë të bisedimeve mes Rusisë dhe Ukrainës, i mbajtur të hënën në Stamboll, duke theksuar se ky zhvillim përfaqëson një përparim drejt përfundimit të një lufte që tashmë ka hyrë në vitin e saj të katërt.
Duke folur gjatë mesazhit të tij për Kurban Bajramin, Erdogan theksoi përkushtimin e Ankarasë për paqe në rajon dhe përtej tij.
“Turqia po bën çdo përpjekje për të ndaluar gjenocidin në Palestinë dhe për të siguruar që lufta midis Rusisë dhe Ukrainës të përfundojë me një paqe të drejtë,” u shpreh presidenti turk.
Në bisedimet që u zhvilluan në Stamboll, palët ranë dakord për një shkëmbim të të burgosurve të luftës-përfshirë ata të sëmurë rëndë, të plagosur si dhe ushtarët nën moshën 25 vjeç. Po ashtu, u mor një vendim për kthimin e trupave të 12 mijë ushtarëve të rënë në fushëbetejë.
Erdogan u ndal edhe në konfliktet në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, duke përmendur Gazan, Sudanin dhe Somalinë si zona që kërkojnë ndërhyrje për paqe.
“Shpresoj që paqëndrueshmëria në këto pjesë të botës të marrë fund së shpejti,” tha ai.
Në fjalën e tij, Presidenti turk theksoi se “me mbështetjen e të gjitha vendeve vëllazërore në rajon, besojmë se Siria do të arrijë një paqe të qëndrueshme dhe do të kthehet në ditët e saj të lavdishme”.
Ai gjithashtu nderoi banorët e Gazës që kanë humbur jetën nga sulmet izraelite dhe lavdëroi “rezistencën e tyre të palëkundur” përballë brutalitetit.
“I kujtojmë me mëshirë të gjithë dëshmorët dhe u urojmë shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve,” u shpreh ai.
Mesazhi i Erdoganit vjen në një kohë kur Turqia po përpiqet të luajë një rol më aktiv diplomatik në konfliktet kryesore të rajonit dhe më gjerë, duke tentuar të pozicionohet si ndërmjetëse për paqen.


























