Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë një operacioni kërkimi është gjetur një trup i pajetë në një zonë malore disa kilometra larg fshatit Zatriq, në komunën e Rahovec, transmeton KosovaPost.
Sipas njoftimit nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, trupi dyshohet të jetë i personit të raportuar si i zhdukur, Alush Kastrati. Ekipet e angazhuara në terren kanë hasur në trup gjatë operacionit të kërkimit që po zhvillohej për gjetjen e tij.
“Bazuar në përshkrimet dhe të dhënat e njohura, dyshohet të jetë i personit të raportuar si i zhdukur në këtë rast”, njofton policia.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore dhe, në koordinim me prokurorin e shtetit, po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për të sqaruar rrethanat e rastit. Hetimet pritet të përcaktojnë identitetin përfundimtar të viktimës dhe shkaqet e vdekjes.


























